Press Room > Të reja
12 Korrik 2011
Studim i CENTURY 21 Albania: Pasqyra e Tregut
 Aktualisht, oferta e pronave residenciale vlerësohet të jetë në rreth 8 % të parkut imobiliar, por çmimet vazhdojnë të mbeten relativisht stabël. Diversiteti i ofertës dhe i ofertuesve është gjithashtu i madh, si përsa i takon tipit të pronave, zonave apo çmimeve. Megjithatë kërkesa vazhdon të pësojë ndryshime dhe fluktuon në funksion të pritshmërisë së konsumatorëve, gjendjes së tyre ekonomike si dhe kontekstit të përgjithshëm socio-politik jo shumë pozitiv që karakterizon vendin.
Çfarë po ndodh në tregun imobiliar? Cilat janë pronat që shiten më shumë? Si është tregu krahasuar me një vit më parë? Cilat janë tendencat strukturale që karakterizojnë këtë treg? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve apo të tjerave të ngjashme me ta, ne kemi analizuar një sërë indikatorësh të cilët japin një ponoramë relativishtë të plotë të tregut të pronave të paluajtshme në Shqipëri. Të dhënat e përdorura vijnë nga sistemi operacional i CENTURY 21 Albania dhe i referohen periudhës 2010-2011.
1. Ecuria e shitje 2010-2011
Ecuria e shitjeve tregon se pamvarësisht sezonalitetit tashmë të njohur që karakterizon tregun imobiliar në vend (ku numri më i madh i transaksioneve kryhet gjatë tremujorëve II dhe III), tremujori i parë i vitit 2011 ka qenë ai që ka shënuar më pak transaksione. Situata e krijur në vend gjatë kësaj periudhe mund të jetë një shpjegim i kësaj rënie të tregut, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, ndoshta efekti i kësaj situate, së paku mbi konsumatorin vendas, nuk do të jetë shumë negativ, sepse gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011 vërehet një lloj normalizimi i tregut.
2. Cila është struktura e shitjeve sipas tipit të pronës?
Në qoftë se do t’i referohemi strukturës së shitjeve në funksion të tipit të pronës konstatohet se ajo ka pësuar një modifikim të lehtë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2011. Kështu, numri i transaksioneve për pronat residenciale është rritur me rreth 2 % në raport me gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, transaksionet mbi pronat komerciale kanë mbetur praktikisht në të njëjtat nivele, ndërsa kërkesa për troje ka pësuar një rënie.
3. Cilat tipe banesash preferohen më shumë?
Krahasimi midis kërkesës për tipe të ndryshme pronosh rezidenciale, tregon se në gjashtëmujorin e parë të 2011, kërkohen më shumë apartamente të vogla. Kështu, nga grafiku mund të konstatohet se kërkesa për garsonierë apo apartamente 1+1 është rritur; Apartamentet 2+1 janë ato që mbeten gjithnjë më të kërkuarat; ndërsa kërkesa për apartamente të tipit 3+1 ka pësuar një rënie me rreth 5 %.
4. Si qëndron raporti ndërmjet shitjeve dhe qirave?
Gjysma e parë e vitit 2011, karakterizohet nga një rritje prej rreth 3 % të kërkesës për qira në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2010. Rritja e kërkesës për qira përbën tashmë një tendencë afat-gjatë të strukturimit të tregut sepse që nga mesi i viteve 2000 vazhdon të ruaj trendin rritës.
5. Si është kërkesa për prona të hipotekuara dhe të pa hipotekuara?
Përsa i takon titullit të pronësisë, vetëm rreth 1/3 e pronave të shitura janë të regjistruara në Zyrën e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kështu që për periudhën në fjalë, rreth 2/3 e transaksioneve janë kryer mbi prona që nuk kanë një titull pronësie. Diferenca e çmimit ndërmjet këtyre dy kategori pronash shkon deri në 30 % në favor të atyre me titull pronësie. Kështu që, dhënia e titujve të pronësisë, hartimi dhe miratimi i master-planeve si dhe plotësimi i kuadrit ligjor mbi aktivitetin e ndërmjetësimit, mbeten masat më urgjente dhe të domosdoshme në të cilat duhet të bazohet ndërhyrja e autoriteteve publike për mirë-funksionimin e tregut të pasurive të paluajtshme.

Të reja > Të tjera- Arkivë -