Century 21 Expert: Trendi i ri i kërkesave të tipologjive të pronave në Tiranë - Century 21 Albania

 

Card image cap

Century 21 Expert: Trendi i ri i kërkesave të tipologjive të pronave në Tiranë

2022-11-16

Vitet e fundit në Shqipëri, kërkesat e qytetarëve që u drejtohen zyrës së agjencisë imobiliare "Century 21 Expert" në Tiranë, orientohen më së shumti drejt një trendi të ri në këtë treg. Shumë preferojnë të zgjedhin një alternativë të shpejtë, që kushton pak dhe që jo detyrimisht ka nevojë për marrjen e mendimeve nga persona të afërt të klientit të interesuar. Bëhet fjalë për apartamentet kryesisht 1+1 të ndodhura në zona lehtësisht të aksesueshme të kryeqytetit dhe që klientë të tillë i preferojnë jo për të jetuar vetë, por për t'i shndërruar në alternativë biznesi.

Sipas agjentit Gentjan Shamku : Apartamentet për investim, në më të shumtën e rasteve kërkohen të jenë të pamobiluar, në mënyrë që klienti blerës ta zhvillojë sipas interesave të tij të biznesit. Me kthimin e Tiranës në pikë kyçe të turizmit si veror edhe dimëror, blerësit i shndërrojnë këto apartamente në biznese inovative që janë zhvilluar më shpejt sesa mund të imagjinohej, hotele ditore për të huajt, dhe jo vetëm, që njihen si Bed and Breakfast (thënë thjesht: një udhëtar merr me qira një vend nga pronari i shtëpisë për të qëndruar në një periudhë specifike) që përfshin shtratin dhe mëngjesin,  që megjithatë jo gjithmonë përfshihet në qëndrim.

Zonat që klientë me këtë interes "shënjestrojnë" më shumë janë, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Bulevardi Zogu i Parë, zona e ish-bllokut, sheshi "Willson", Pazari i Ri, etj, të gjitha me akses për qendrën e Tiranës, bareve e restoranteve, klubeve dhe pikave turistike. Ndërsa apartamentet preferohen edhe në pallate ekzistuese, për arsye buxheti, por gjithmonë në këto raste kërkesat nuk orientohen drejt kateve të fundit duke qenë se nuk janë të pajisur me ashensorë.

https://www.century21albania.com/uploads/www.century21albania.com//1668596289-jxrfgf.jpg

Klientët kryesorë për blerje që i drejtohen zyrës Century 21 Expert janë dhe klientët për nevoja banimi. Tipologjitë e shtëpive më të preferuara për banim janë apartamentet 2+1, kryesisht në pallate të reja. Së fundmi, klientët e interesuar për te blerë një shtëpi banimi janë qartazi të orientuar drejt objekteve të reja, që ofrojnë shërbimin e administrimit të pallatit, kanë ashensor dhe ofrojnë edhe vende për parkim.

Nëse për biznes, zona përzgjidhej rreth qendrës, për banim, klientët nuk ngushtojnë rrethin e kërkesave, duke u zgjeruar rreth Unazës së Tiranës, kjo edhe për shkak të çmimeve më të larta që ofrojnë objektet e banimit rreth qendrës së kryeqytetit. Kërkesat janë që apartamentet e banimit të jenë me tualete me ajrosje natyrale, të kenë ndriçim në sallonin e ndjenjes dhe kuzhina të jetë e bollshme dhe e veçuar.

Gjithmonë periudha pas verës rrit kërkesat e qirasë për apartamente 1+1 nga studentët.

Referuar rasteve të trajtuara në zyrën e Century 21 Expert, studentët zgjedhin apartamente kryesisht pranë institucioneve arsimore ku kryejnë studimet, duke u përqendruar në zonën e "Rrugës së Elbasanit", në "rrugën e Dibrës", rruga Bardhyl, Komuna e Parisit, "Zogu i Zi", "21 Dhjetori", dhe rruga "Don Bosko". Duke qenë se kontratat e qirasë zgjidhen prej tyre kryesisht me afat 1-vjeçar, duke menduar lëvizjen në rast të një okazioni të mundshëm apo një alternative më pranë universitetit, studentët kërkojnë që apartamentet të jenë të mobiluar për 2 persona.

Në vend të tretë sa i përket tipologjive më të kërkuara të shtëpive në Tiranë, radhiten edhe garsonieret me qira, për të njëjtin qëllim siç prezantuam në fillim të artikullit, për investim Bed and Breakfast.

Nëse do të kapërcejmë Tiranën, qyteti i Vlorës është ai që ka ngjallur maksimalisht interesin e shtetasve të huaj, jo vetëm për të gjetur ambiente me qira ditore për pushimet e verës. Në qytetin bregdetar të huajt kanë kthyer masivisht sytë duke blerë apartamente, veçanërisht në vijën e parë të shëtitores buzë detit, "Lungomare". Të huajt dëshirojnë apartamente 2+1 ose 1+1 që kanë shikueshmëri nga deti.

Thënë shkurtimisht Tirana dhe Vlora janë dy qytetet më të kërkuara aktualisht per banim dhe investim. Zyra Century 21 Expert ofron opsione të tipologjive të ndryshme në të dy qytetet. Për më tepër informacion rreth tregut imobiliar ju mirëpresim pranë zyrës sonë në Rrugën e Durrësit, Sheshi Adem Jashari, Tiranë.