VLERA E PRONËS NË TIRANË, NJË FENOMEN I NJË METROPOLI NË ZHVILLIM. - Dritan Leka - Century 21 Albania

 

Card image cap

VLERA E PRONËS NË TIRANË, NJË FENOMEN I NJË METROPOLI NË ZHVILLIM. - Dritan Leka

2022-12-22

Çfarë do të thotë të kesh një pronë të patundshme në Tiranë në vitin 2022?

Më datë 15 dhjetor 2022, u zhvillua në Tiranë, Konferenca mbi Vlerën e Pronës në Kryeqytet.

Panelet e konferencës u përbënë nga përfaqësi të grupeve kryesore të interesit, si drejtues të Industrisë Imobiliare në Tiranë, përfaqësuar nga z. Jonian Antoni dhe z.Dritan Leka, përkatësisht CEO i Century 21 Albania dhe CEO i CPM International që përbëhet nga tre prej zyrave më të suksesshme të rrjetit Century në Shqipëri: Century 21 Botaniku, Century 21 Smart dhe Century 21 Cooperate.

Në këtë konferencë morën pjesë gjithashtu përfaqësues të Industrisë së Ndërtimit në Tiranë, si dhe specialistë të fushës si inxhinierë dhe arkitektë me zë që e njohin Tiranën dhe zhvillimin e saj urban të cilët fokusuan diskutimin e tyre mbi zhvillimin e qytetit dhe perspektivat sociale të rritjes së vlerës së pronës.

Në fjalën e tij Dritan Leka, u fokusua në ndikimet që ka pasur rritja e vlerës së pronës në dinamikën e blerjes dhe shitjeve të pasurive të paluajtshme.

Pyetjes se cilat janë tipologjitë e pronave dhe zonat drejt të cilave ka më shumë interes aktualisht nga blerësit e pasurive të paluajtshme, z. Leka iu përgjigj duke konstatuar se është një nga pyetjet që bëhet më shpesh dhe më të vështira për t’i dhënë përgjigje të saktë.

Duhet patjetër të dalim nga koncepti “one size fits it all”. Në vitet e fundit Tirana është zhvilluar dhe është bërë gjithnjë e më shumë një metropol i madh i mirëfilltë. Ky lloj varieteti krijon edhe vështiresinë e përgjigjes së kësaj pyetje. Në Tiranë ka zona si Qendra apo Blloku, por ka dhe zona si Fresku dhe si Paskuqani apo Kamza. Thënë këtë, jo të gjitha zonat kanë të njejtën tipologji dhe të njëjtën analizë tregu.

Nese do më kërkohej të analizoja një trend të Tiranës, që besoj është e ngjashme me çdo metropol, përgjigjja se cilat janë zonat me më shumë interes do ishte:

Sa më shumë pranë Qendrës, aq më i lartë interesi për të blerë pronë për investim. Pronat pranë qendrës, jepen lehtësisht me qira të formave të ndryshme, ditore apo vjetore. Kjo e bën këtë zonë një nga më të lakmuarat ende.

Ndërkohë që largësia me qendrën do të thotë që prona ka më pak interes për investim, por sigurisht interesi është më i lartë për prona rezidenciale.

Më pas diskutimi u fokusua në interesin e investitorëve të huaj për të blerë pasuri të paluajtshme në Tiranë. Nga vijnë dhe për çfarë janë të interesuar kryesisht?

Ka një interes në rritje të investitorëve të huaj për pasuri të paluajtshme në Tiranë dhe kryesisht vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian si dhe SHBA. Janë disa faktore që po nxisin investimet e tyre në pasuri të paluajtshme dhe mund të rendisim 7 pika:
Rritja konstante e vlerës se pronës ndër vite.
Kërkesa e lartë për qiramarrje.
Taksat e ulëta për pasuritë e patundshme.
Cilësia e ndërtimit në standarde evropiane.
Investimet industriale dhe krahu i lirë i punës.
Pozicioni gjeografik midis portit, aeroportit dhe pikave kryesore kufitare


Tirana përbën mbi 50% të ekonomisë shqiptare.

Duke pasur këtë interes në rritje të investimeve të huaja, pyetja e radhës natyrshëm kishte të bënte me nëse po ndërtohet në Tiranë me strategji për të thithur investitorë të huaj dhe biznese?

Z.Leka tha se duhet të kuptojmë që ndërtimi, pra oferta, vjen si pasojë e kërkesës dhe tregut. Dhe nuk mund të vijë si pasojë e përthithjes së investitorëve të huaj. Madje e anasjellta ndodh: Investitori i huaj vjen aty ku ka treg dhe ndërtim të mirë-analizuar të zonës.

Duke qenë një vend në tranzicion, në Shqipëri drejtohen investitorë të huaj oportunistë të cilët duan marzhe fitimi shumë të larta sepse e konsiderojnë Shqiperinë vend me risk të lartë në investim. Kjo fatmirësisht, i ka dhëne dorë investitorëve shqiptarë të fuqizohen mirë. Për këtë duhet të ndihemi mirë sepse në fund fitimet qarkullojnë në ekonominë vendase pa migruar.

Nga ana tjetër, është shumë e nevojshme që ne të kemi injektim fondesh të huaja, fonde këto që aktualisht nuk vijnë nga investitori, por kryesisht nga blerësi final.

Ne fatmirësisht kemi shumë blerës fundorë të huaj të cilët vijnë me interes në rritje për Kryeqytetin ashtu si dhe për zonat bregdetare.

Një grup blerësish të pronave të patundshme gjithmonë e më në rrijte është dhe diaspora e gjerë shqiptare, e cila përbën një përqindje të lartë të blerësve dhe interesi është gjithmonë në rritje.

Pyetjes se si kanë ndikuar ndërtesat e larta në rritjen e vlerës së pronës profesionistët e Century 21 Albania, iu përgjigjën duke u fokusuar në interesin gjithmonë e më në rritje për hapësira në këto ndërtesa. Duke qenë se Tirana ende përbëhet në përqindjen më të madhe nga ndërtime të para viteve 2000, standardi dhe cilësia që sjellin ndërtesat e reja dhe ndërtesat e larta, është maksimalisht i kërkuar.

Dritan Leka ndau me audiencën 4 tipologjitë kryesore të blerësve të ndërtesave të larta, të cilët janë:

Kompanitë lokale të cilat janë zhvilluar dhe shtojnë ose përmirësojnë kapacitetet e tyre me zyra moderne, kjo kategori është rreth 20% e ndërtimit.

Hotelet, kryesisht marka ndërkombëtare të cilat sot zënë rreth 20% të kullave në ndërtim.

Diaspora shqiptare e cila përbën 15% të blerjeve në pallatet e reja.

Përfaqesitë e kompanive të huaja të cilat duke parë afrimin e Tiranës me BE, vijnë për të zhvilluar biznesin e tyre në një treg që po shkon gjithnjë e më shumë drejt atij perëndimor, por duke përfituar nga benefitet e të qënit akoma i lirë. Kjo kategori përbën 15%.

Investitorët vendas të cilët blejnë për të dhënë me qira me qëllim investimi duke përfituar edhe nga interesat e ulëta bankare në vitet e fundit.

Viti 2021-2022 ka shënuar zhvillime domethënëse në real estate, krijimi i NAREA, ndryshimet ligjore dhe hapja e negociatave kanë sjellë më shumë siguri për investitorët apo blerësit e huaj, tha gjatë fjalës së tij Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA – Shoqatës Shqiptare Kombëtare të Industrisë Imobiliare.

Pas paneleve të firmave të ndërtimit që trajtuan politikat e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm dhe strukturat e qëndrueshme, konferenca u përmbyll nga z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës i cili iu bashkua panelit të specialistëve duke bërë një përmbledhje të historisë së shpalljes së Tiranës Kryeqytet. Ai tha se plani urban i Tiranës është i fokusuar për të ndërtuar qytetin pranë zonave ekzistuese me një zhvillim që i përgjigjet densitetit dhe kërkesës. Bashkia Tiranë përmban tashmë 1,000,000 banorë dhe çdo vit shtohen 25.000 banorë të rinj.

Kryetari i Bashkisë u ndal në perceptimin e gabuar të konceptit të kullave duke thënë se ekzistojnë vetëm 10 të tilla dhe nuk mund të konsiderohen të tillë çdo pallat 12 katësh.

Për t’u nënvizuar është fakti që statusi i qytetarit të Tiranës në vitet e fundit është përmirësuar dukshëm në të gjithë Evropën e më gjerë duke e kthyer Tiranën në një brand të konsoliduar. Tirana Europe’s Youth Capital gjatë 2022 ka sjellë për qytetarët e saj ngjarje, aktivitete dhe artistë ndërkombëtarë duke na bërë të lakmueshëm për sytë e qytetarëve të rajonit dhe duke rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e vizitorëve të huaj nga rajoni dhe jo vetëm.

CPM është shumë e interesuar për të vazhduar diskutimin në organizime të tilla në të ardhmen.